Lajmet

Koha e fundit për të shpëtuar Zambakun e Prizrenit

22 shtator 2014Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren e ka përcjellë me shqetësim të madh edicionin e fundit të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”. Edicioni i sivjetëm vulosi degradimin e njërit nga festivalet më të vjetra kulturore në Kosovë, duke e shndërruar atë në një ngjarje që shkel të gjitha rregullat dhe vlerat e festivalit. Disa vite me rradhë, festivali iu ka nënshtruar një trajtimi degradues nga organizatat dhe kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Prizrenit për organiizimin e tij. Megjithatë, RrOK Prizren konsideron se Komuna e Prizrenit, si përgjegjëse për ruajtjen dhe kultivimin e këtij festivali është fajtore kryesore edhe për degradimin që po i bëhet atij viteve të fundit.
 
Një numër i konsiderueshëm profesionistësh dhe aktivistësh të kulturës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me trajtimin nënçmues që po i bëhet festivalit. Kulmi i degradimit u arrit në edicionin e këtij viti të festivalit, ku u shkelën rëndë edhe rregullat e festivalit, si profesionale (artistike) ashtu edhe organizative. RrOK Prizren i bashkohet thirrjeve dhe kritikave të artikuluara nga profesionistët dhe qytetarët e Prizrenit dhe i bën thirrje Komunës së Prizrenit dhe institucioneve tjera shtetërore që të veprojnë urgjentisht për të shpëtuar Zambakun e Prizrenit. Dështimi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme nënkupton shkatërrim të tërësishëm të festivalit.
 
RrOK Prizren mendon se festivali duhet të shpëtohet përmes një veprimi të koordinuar mes disa institucioneve shtetërore dhe organizatave të pavarura të kulturës. Ne i bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Filharmonisë së Kosovës, Shkollës së Muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren, Radio Televizionit të Kosovës që sa më parë të themelojnë një trup të përbashkët veprimi për t’i diskutuar opsionet rreth shpëtimit të festivalit. Ne si rrjet i organizatave të kulturës, shprehim gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e procesit për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të shpëtuar festivalit dhe kultivuar traditën e këngës së së vjetër qytetare. Zambaku i Prizrenit së shpejti do ta kremtojë 30 vjetorin e themelimit, ndërsa institucionet dhe shoqëria nuk duhet të lejojnë që ky përvjetor jubilar të gjejë festivalin në këtë gjendje të degraduar.