Rrjedhja e vazhdueshme e ujit po e rrezikon lokalitetin arkeologjik

Rrjedhja e vazhdueshme e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren është duke cenuar strukturat arkitekturore të këtij aseti, ndërkohë që kërkesat e Institutit Arkeologjik të Kosovës për sanimin e defektit drejtuar KRU “Hidroregjioni Jugor” dhe Komunës së Prizrenit deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.


IAK ka bërë të ditur se në tetor të vitit 2023 është adresuar kërkesa e parë në KRU “Hidroregjioni Jugor” për sanimin e rrjedhjes së ujit, derisa kërkesa e dytë është bërë në fillim të dhjetorit të vitit 2023, dhe që të dyjat kanë mbetë pa përgjigje. IAK në dhjetor ka kontaktuar edhe me telefon drejtuesit e “Hidroregjionit Jugor”, që kanë pohuar se çështjen duhet adresuar te Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit. IAK ka theksuar se më 18 dhjetor 2023 i ka dërguar kërkesë DSHP-së për sanimin e prishjes përkatësisht rrjedhjen e ujit nga Kroi i Beledijes në drejtim të lokalitetit arkeologjik dhe se me 28 dhjetor 2023 ka pranuar përgjigjen me shkrim se DSHP nuk është kompetente dhe se për këtë çështje duhet drejtuar KRU “Hidroregjioni Jugor”.


“Rrjedhja e ujit ka vazhduar dhe duket se ka prishje të gypave sepse edhe pse është ndal çeshmja, uji ka vazhduar të rrjedhë dhe cenon strukturat e lokalitetit arkeologjik”, thuhet në përgjigjen e IAK-së. Aty sqarohet se në kuadër të planit të mirëmbajtjes dhe pastrimit të lokalitetit arkeologjik, Komuna e Prizrenit obligohet që ta pastrojë rregullisht lokalitetin, derisa institucionet përgjegjëse si IAK dhe QRTK Prizren duhet të informohen për pastrimin sistematik.


EC Ma Ndryshe konsideron se zvarritja e kësaj çështjeje duke hedhur përgjegjësinë tek organi tjetër, mos koordinimi i duhur dhe mos respektimi i obligimeve të marra paraprakisht, rrezikojnë lokalitetin arkeologjik që paraqet një pikë të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike në qytetin e vjetër.


Prandaj EC-i i bën thirrje të gjithë organeve përgjegjëse që në këtë rast të veprojnë me shpejtësi për sanimin e defektit dhe ndaljen e rrjedhjes së vazhdueshme të ujit, në mënyrë që të evitohet cenimi i mëtejmë i strukturave të lokalitetit arkeologjik në Sheshin e Lidhjes.

Rrjetëzimi