Biodiversiteti i Kosovës ndërmjet potencialit dhe presionit

Biodiversiteti përbën një nga asetet më të rëndësishme natyrore të Republikës së Kosovës. Pavarësisht territorit relativisht të vogël, vendi karakterizohet nga një larmi e konsiderueshme ekosistemesh, nga zonat alpine dhe pyjore deri te habitatet ujore dhe fushore, të cilat mbështesin specie të shumta bimore dhe shtazore, përfshirë edhe forma relike dhe endemike me rëndësi rajonale dhe ndërkombëtare (burimi: https://askapi.rks-gov.net/.../d3582df5-78f6-4951-a363...).


Megjithatë, kjo pasuri natyrore po përballet me presione të vazhdueshme dhe të shumëfishta.


Sipas analizave të OSHC-ve ndërkombëtare, të kryera vite më parë, “Kosova është i vetmi vend në kontinentin evropian i deklaruar në ‘stres uji’, që tregon një sasi të pamjaftueshme të ujit të riciklueshëm për person dhe rezulton në mungesë të ujit në periudha të caktuara të vitit, derisa pritet që ndryshimi i klimës, rritja e popullsisë dhe rritja e nevojave për ujë të rezultojnë në rritjen e presionit në ekosistemet e ujërave të ëmbla tashmë të dëmtuara” (burimi: https://www.koha.net/.../kosova-shteti-i-vetem-ne-evrope...).


Ndërtimi i hidrocentraleve, ndotja e lumenjve për shkak të trajtimit të pamjaftueshëm të ujërave të zeza, nxjerrja e pakontrolluar e zhavorrit dhe rërës, dhe ndërtimet pa planifikim të duhur, janë veprime që kontribuojnë në degradimin e ekosistemeve kritike (burimi: https://www.oecd.org/.../full-report/component-18.html).


Gjithashtu ndërtimi i infrastrukturës, prerja e paligjshme e pyjeve, shfrytëzimi i bimëve dhe shtazëve të egra, si dhe ndotja e mjedisit në përgjithësi krijojnë një mozaik presionesh që vështirësojnë ruajtjen e biodiversitetit. (burimi: https://kryeministri.rks-gov.net/.../Koncept-Dokument-per...).


Ndonëse në dekadën e fundit, institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje për të përmirësuar kornizën ligjore dhe strategjike për mbrojtjen e natyrës, megjithatë, implementimi i këtyre politikave publike mbetet një sfidë serioze për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore, pamjaftueshmërisë së të dhënave, dhe zbatimit të kufizuar të politikave të mbrojtjes.


Një gjë e tillë është nënvizuar edhe në raportin e fundit të Bashkimit Europian, ku theksohet se mbrojtja e natyrës është në fazë të hershme të përmbushjes së standardeve të kërkuara dhe se kapacitetet janë të kufizuara si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror. (burimi: https://enlargement.ec.europa.eu/.../127563ea-4c03-44a4...).


Në një situatë të tillë, humbja e biodiversitetit në Kosovë nuk po ndodh në mënyrë të menjëhershme dhe të dukshme, por përmes një procesi gradual degradimi, i cili shpesh mbetet jashtë vëmendjes publike dhe institucionale.

Pikërisht për këtë arsye, identifikimi dhe vlerësimi i zonave të ndjeshme të biodiversitetit përbën një hap thelbësor drejt mbrojtjes së qëndrueshme të natyrës.


Raporti “Vlerësimi i Zonave të Ndjeshme të Biodiversitetit”, i realizuar nga SRD Institute dhe i publikuar nga EC Ma Ndryshe, sjell një qasje të avancuar shkencore duke u fokusuar jo vetëm në listimin e specieve, por në analizën e habitateve dhe funksioneve ekologjike.


Kjo qasje reflekton kuptimin bashkëkohor të biodiversitetit si një sistem i ndërlidhur, ku degradimi i një elementi, si cilësia e ujit, fragmentimi i habitatit apo ndryshimet mikroklimatike, ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e të gjithë ekosistemit. Përdorimi i indikatorëve biologjikë, si insektet ujore, mundëson identifikimin e hershëm të ndryshimeve negative në mjedis dhe ofron baza të besueshme për vendimmarrje të informuar.


Gjetjet e raportit konfirmojnë se zonat me vlerë të lartë ekologjike në Kosovë janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj ndikimeve antropogjene. Ndër presionet kryesore identifikohen: degradimi i ekosistemeve ujore për shkak të ndotjes, ndërhyrjeve hidroteknike dhe menaxhimit të pamjaftueshëm të ujërave të zeza; shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve natyrore, përfshirë nxjerrjen e zhavorrit dhe prerjet e paligjshme të pyjeve; ndërtimet infrastrukturore dhe urbanizimi pa integrim të biodiversitetit në planifikimin hapësinor; fragmentimi i habitateve dhe humbja e lidhshmërisë ekologjike.


Këto procese nuk ndikojnë vetëm në humbjen e specieve, por edhe në dobësimin e shërbimeve ekosistemike që janë thelbësore për jetën e përditshme të komuniteteve lokale, përfshirë furnizimin me ujë, mbrojtjen nga përmbytjet dhe rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike.


Kosova ka ndërtuar një bazë ligjore dhe strategjike për mbrojtjen e natyrës, duke përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, strategjitë dhe planet e veprimit për biodiversitet, si dhe planet e menaxhimit të pellgjeve lumore. Në këtë kontekst, Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor “Drini i Bardhë” përfaqëson një instrument të rëndësishëm për menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe mbrojtjen e habitateve të ndërlidhura.


Megjithatë, raporti dhe analizat institucionale tregojnë se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv në terren. Mungesa e monitorimit sistematik, kapacitetet e kufizuara institucionale, të dhënat e pamjaftueshme hapësinore dhe koordinimi i dobët ndërsektorial vazhdojnë të kufizojnë ndikimin real të politikave ekzistuese.


Vlerësimi i zonave të ndjeshme të biodiversitetit nuk duhet të shihet vetëm si një ushtrim teknik apo akademik. Ai përbën një bazë të domosdoshme për planifikim hapësinor të përgjegjshëm, zhvillim të qëndrueshëm dhe politika publike të orientuara drejt së ardhmes.


Ruajtja e biodiversitetit është e pandashme nga objektivat për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Për këtë arsye, kërkohet një qasje e integruar që përfshin institucionet publike, komunitetin shkencor, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.


Zonat e ndjeshme të biodiversitetit në Kosovë janë një pasuri strategjike që kërkojnë vëmendje, përgjegjësi dhe veprim të qëndrueshëm. Raporti i publikuar nga EC Ma Ndryshe ofron njohuri të vlefshme dhe rekomandime të bazuara në evidencë shkencore, duke krijuar një pikënisje të fortë për përmirësimin e politikave dhe praktikave të mbrojtjes së natyrës.


Në këtë rrafsh, biodiversiteti nuk është vetëm vlerë biologjike. Ai është element thelbësor i qëndrueshmërisë klimatike, burim i shërbimeve ekologjike dhe bazë për zhvillim rural dhe mirëqenie afatgjate. Ruajtja e tij është investim në stabilitetin social, ekonomik dhe mjedisor të Kosovës.


Prandaj edhe raporti bën thirrje për rishqyrtimin e marrëdhënies me natyrën, jo si një sfond të zhvillimit, por si një partner jetik. Sepse pyetja thelbësore nuk është vetëm çfarë po humbasim sot, por çfarë të ardhmeje po ndërtojmë për brezat e ardhshëm dhe gjallërinë e natyrës.

Rrjetëzimi