Dita Ndërkombëtare e Ligatinave u shënua me vizitë edukative në Ligatinën e Hencit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave, EC Ma Ndryshe organizoi një vizitë edukative të hënën, më 2 shkurt 2026, në Ligatinën e Hencit. Aktiviteti shërbeu për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e të rinjve mbi rëndësinë e ligatinave si ekosisteme jetike për biodiversitetin dhe mirëqenien e njeriut.


Përmes një qasjeje praktike, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me vlerat natyrore të Ligatinës së Hencit, rolin e saj në ruajtjen e biodiversitetit, si dhe sfidat me të cilat përballet kjo zonë për shkak të ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.


Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe një ligjëratë tematike nga Prof. Dr. Ekrem Gjokaj, e përqendruar në rëndësinë e ligatinave, biodiversitetin dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Ligjërata u pasua nga një shëtitje edukative në natyrë, gjatë së cilës pjesëmarrësit vëzhguan bimët, shpendët dhe elementet kryesore të ekosistemit të ligatinës.


Vizita shërbeu gjithashtu si hapësirë për bashkëbisedim dhe reflektim mbi rolin e të rinjve dhe komunitetit në mbrojtjen e natyrës.


Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me studentët e International Business College Mitrovica (IBCM), duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ruajtjen e ligatinave, të cilat, ndonëse mbulojnë vetëm rreth 6% të sipërfaqes tokësore të Tokës, janë habitat për rreth 40% të specieve bimore dhe shtazore.

Rrjetëzimi