Heshtja nuk është përgjigje institucionale

EC Ma Ndryshe shpreh shqetësimin lidhur me mungesën e përgjigjes institucionale ndaj ankesës së dorëzuar pas publikimit të rezultateve preliminare të thirrjes publike për mbështetje financiare të organizatave joqeveritare në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2026 nga Komuna e Prizrenit.
Pas publikimit të rezultateve, EC Ma Ndryshe ushtroi të drejtën e saj për ankesë, duke kërkuar rishqyrtimin e projekt-propozimit dhe, mbi të gjitha, qasje në arsyetimin e vendimit, vlerësimin e projektit dhe kriteret mbi të cilat është bazuar mosmbështetja e aplikimit tonë.
Më 20 maj është dorëzuar ankesa për rishqyrtimin e vendimit, ndërsa më 11 qershor është dërguar rikujtim zyrtar. Deri më sot nuk është pranuar asnjë përgjigje.
Ky reagim nuk ka për qëllim të kontestojë mbështetjen e organizatave të tjera përfituese dhe as të kërkojë trajtim të privilegjuar. Ai ka të bëjë me një parim themelor të administrimit publik: të drejtën e çdo aplikuesi për të marrë një përgjigje dhe një arsyetim të vendimeve që e prekin.
Mosdhënia e një përgjigjeje ndaj një ankese zyrtare nuk kontribuon në forcimin e besimit të qytetarëve dhe organizatave në institucionet publike.
Prandaj, EC Ma Ndryshe i bën thirrje Komunës së Prizrenit përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport që të trajtojnë ankesën e paraqitur dhe të ofrojnë një përgjigje zyrtare, të argumentuar dhe në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies.



