Komunat e Kosovës janë ballafaquar relativisht mirë me pandeminë COVID-19

Aleanca e katër organizatave joqeveritare (Syri i Vizionit, Communication for Social Development (CSD), EC Ma Ndryshe dhe Demokraci Plus (D+) për zbatim të programit "Qytetaria aktive dhe komunat përgjegjëse në Kosovë" ka realizuar hulumtimin rreth mënyrës se si komunat e Kosovës i janë përgjigjur dhe si janë ballafaquar me gjendjen e krijuar me pandeminë COVID-19. Të dhënat e këtij hulumtimi pasqyrojnë gjendjen deri me datën 24 prill 2020.

Hulumtimi është kryer me pyetësor online me 22 pyetje, i cili është dërguar te të gjitha 38 komunat e Kosovës. Prej tyre, 32 komuna janë përgjigjur, derisa 6 sosh nuk kanë ofruar përgjigje për këtë hulumtim.

Gjetjet e këtij hulumtimi çojnë te përfundimi se komunat e Kosovës, duke i marrë parasysh kapacitetet dhe buxhetin e tyre, janë ballafaquar relativisht mirë me situatën e krijuar me pandeminë COVID-19. Sipas këtyre gjetjeve, komunat kanë pasur komunikim relativisht të mirë me nivelin qendror dhe me qytetarët e vet, të cilët në masë të madhe i kanë respektuar masat e Qeverisë së Kosovës. Krejt kjo ka ndikuar që numri i të infektuarve dhe rasteve fatale në krahasim me shtetet e rajonit apo edhe më gjerë të jetë relativisht më i ulët.

Megjithëkëtë sfidat kryesore me të cilat komunat e Kosovës ende ballafaqohen janë:
- Mungesa e mjeteve financiare nga niveli qendror për paisje shtesë mbrojtëse në luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19;
- Mungesa e numrit më të madh të testeve rreth rasteve të dyshimta për COVID-19;
- Rritja e numrit të familjeve me gjendje ekonomike të rënduar dhe kërkesat e shtuara për pako ushqimore dhe higjienike;
- Mbyllja e shumë bizneseve private;
- Shqetësimet nga sektori i bujqësisë;
- Paqartësitë rreth lejeve të qarkullimit për qytetarë e biznese nga MPBAP;
- Paqartësitë rreth funksionimit të llojeve të ndryshme të bizneseve nga MEPTINIS;
- Numri i vogël i inspektorëve komunal.

Rekomandimet e dhëna nga ky hulumtim, janë:
- Niveli qendror, lokal dhe shoqëria civile të punojnë në vetëdijesimin e vazhdueshëm të qytetarëve rreth respektimit të masave parandaluese dhe zbutjen e pasojave te pandemisë;
- Qeveria e Kosovës të hartojë një pako gjithëpërfshirëse ekonomike për sektorin privat;
- Koordinim dhe konsultim më të strukturuar të Qeverisë së Kosovës me komunat në lidhje me masat mbrojtëse dhe parandaluese qe do të merren në të ardhmen;
- Komunat të aktivizojnë dhe funksionalizojnë Këshillat Lokale për komunikim më të mirë me qytetarët;
- Komunat të kërkojnë ndihmë profesionale nga organizata e kompani të ndryshme rreth përballimit të gjendjes së pandemisë.

Organizatat Jo-Qeveritare: Syri i Vizionit, Communication for Social Development (CSD), EC Ma Ndryshe dhe Demokraci Plus (D+) kanë lidhur aleancë për zbatim të programit "Qytetaria aktive dhe komunat përgjegjëse në Kosovë", i cili mbështetet nga Olaf Palme International Center. Ky program ka për qëllim përfshirjen dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Për dokumentin e plotë shih vegëzën

Rrjetëzimi