Kosova përballet me sfida në menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore

Dita Botërore e Ujit sivjet e gjen Kosovën me sfida të shumta në menaxhimin e resurseve ujore. Në këtë aspekt ngecjet janë të pranishme në kuadrin ligjor, në kapacitetet institucionale, pastaj te monitorimi, planifikimi e deri te mbrojtja e ujërave. 

Sfidat e ndryshme në raport me ujërat janë evidentuar në raportin e fundit të BE-së për Kosovën(https://www.eeas.europa.eu/sites/default/files/documents/2023/Kosovo%202023%20Report_SQ.PDF).  Aty konfirmohet se është arritur progres i kufizuar në përafrimin e legjislacionit për ujërat me acquis të BE-së, derisa shtohet se mekanizmi monitorues i Strategjisë së Ujërave 2017-2036 dhe zbatimi i Ligjit për Ujërat kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme. Sipas këtij raporti, Kosova duhet të vendosë urgjentisht sistemet e monitorimit me të dhëna në dispozicion të publikut. Gjithashtu theksohet se zonat e mbrojtjes së ujërave duhet të përmirësohen më tej dhe se autoritetet rajonale të pellgjeve lumore duhet të bëhen funksionale. Ndërkohë nënvizohet se çdo hidrocentral i vogël duhet të ndërtohet në përputhje të plotë me legjislacionin mjedisor dhe t’i nënshtrohet vlerësimeve të duhura mjedisore. Për ujërat e zeza dhe shkarkimet e patrajtuara theksohet se mbeten burimet kryesore të ndotjes së ujit, veçanërisht në lumenj. Në të njëjtën kohë kërkohet intensifikimi i përpjekjeve për reduktimin e humbjeve të ujit dhe mbledhjen e qarkullimit.

Ndërkaq edhe te Rishikimi i Strategjisë Shtetërore për Ujëra 2023-2027 dhe Plani i Veprimit 2023-2025 (https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=78647) gjendja ekzistuese përshkruhet me sfida në drejtime të ndryshme. Te kuadri ligjor, theksohet se në Ligjin për Ujërat e Kosovës (Nr. 04/L-147) ka kundërthënie dhe paqartësi për konceptet bazë për menaxhimin e ujërave, si: resursi ujor, pasuria ujore, monitorimi i ujërave, e drejta ujore, etj. dhe se në formën si është, ky ligj nuk ka arritur t`i transpozojë shumë prej koncepteve dhe parimeve të Direktivës Kornizë për Ujëra (Direktiva e BE 2000/60/EC) që është legjislacioni bazë i KE-së në fushën e menaxhimit të resurseve ujore. Pastaj struktura institucionale për menaxhimin e resurseve ujore  thuhet se është e pakonsoliduar plotësisht, meqë në institucionet kyçe që janë përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e resurseve ujore ka mungesë të kapaciteteve. Si rezultat i këtyre kapaciteteve të pamjaftueshme, në Rishikim theksohet se kanë mbetur ende pa u adresuar çështjet bazike të menaxhimit të resurseve si: nuk ka një informacion cilësor dhe të plotë për sa i përket sasisë dhe cilësisë së ujërave, nuk ka kontroll efektiv mbi shfrytëzimin e ujërave dhe eksploatimin e aluvioneve të lumenjve, nuk ka mbikëqyrje efektive të cilësisë së shkarkimit të ujërave të ndotura, shkalla e implementimit të objektivave nga dokumentet e politikave dhe dokumentet strategjike është jashtëzakonisht e ulët, shkalla e zbatimit të legjislacionit në fushën e ujërave ka mbetur shumë e ulët, etj.

Si ilustrim, kapacitetet në fushën e inspektimit, janë të ulëta, ku aktualisht MMPHI i ka vetëm 3 inspektorë të ujërave. Ky numër është i pamjaftueshëm për inspektim efektiv dhe përmbushje të përgjegjësive ligjore që ka inspektori i ujërave, derisa komunat nuk kanë inspektor të autorizuar për ujëra siç parashihet me ligjin në fuqi.

Planifikimi përkatësisht planet e menaxhimit të pellgjeve lumore ende janë në fazë të hartimit e miratimit, derisa nuk ka pasur ndonjë përparim të duhur as në zhvillimin e resurseve ujore e monitorimin e tyre dhe publikimin e të dhënave për publikun.

Ndërkaq mbrojtja e lumenjve nga degradimi është rrëfim në vete, që është konstatuar prej vitesh në raporte të ndryshme. "Duke pasur parasysh efektet jashtëzakonisht negative afatshkurta dhe afatgjata nga kjo dukuri dhe faktin që masat e deritashme nuk kanë dhënë efekt, kjo problematikë duhet të rishikohet në tërësi si në aspektin rregullativ / ligjor dhe në veçanti në planin zbatues në mënyrë që të vendoset një sistem efikas që parandalon degradimin e mëtutjeshëm të ujërave. Në anën tjetër, një ndër problemet më të mëdha, më të pakuptueshme dhe më të dukshme është ndotja e lumenjve me mbeturina. Sado që Ministria ka tentuar të parandalojë hedhjen e mbeturinave dhe të caktojë gjoba, mungesa e veprimit konkret, mungesa e inspektorëve qendror dhe komunal, si dhe mungesa e dënimeve nga gjykatat e ka lënë këtë problem në dorë të organizatave joqeveritare", thuhet te Rishikimi i Strategjisë Shtetërore për Ujëra 2023-2027 dhe Plani i Veprimit 2023-2025.

Në publikimet e EC Ma Ndryshe është vënë në pah se si mbeturinat, kanë efekte negative në ndotjen e ujërave dhe njëkohësisht mund të jenë fatale edhe për gjallesat ujore.

Ndërkohë sipas Rishikimit të Strategjisë Shtetërore për Ujëra 2023-2027 situata më e mirë paraqitet tek shërbimet e ujit, pavarësisht se ka hapësirë për përmirësime të mëtejme.

Duke i marrë për bazë evidentimet e mësipërme, në Ditën Botërore të Ujit, vlen të përkujtohet rëndësia e ujërave për njeriun dhe mjedisin, duke nënvizuar se menaxhimi adekuat dhe kujdesi i shtuar për to është thelbësor për arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë drejtim krahas institucioneve, përgjegjësi kanë edhe hisedarët tjerë që duhet të shtojnë kontributin drejt menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave në Kosovë.

Rrjetëzimi