Kultura e fundit në listë edhe në raport me planifikimin urban

EC Ma Ndryshe sot ka vijuar debatin e gjashtë me rradhë në kuadër të ciklit të debateve “Planifikim urban me pjesëmarrje". Qëllimi i këtyre debateve është prezantimi i të gjeturave të fokus grupeve me shtatë grupe të komunitetit në Prizren për identifikimin e problemeve dhe përkthimin e kërkesave të tyre në plane konkrete për adresim në insitucionet përgjegjëse.

Panelistë të debatit ''Kultura dhe Planifikimi Urban në Prizren'' ishin Lulzim Kabashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit dhe Veton Nurkollari, drejtor artistik i Doku Fest-it. Për të diskutuar lidhur me pjesëmarrjen e kërkesave të komunitetit kulturor në procesin e planifikimit urban të ftuar ishin artistë, krijues, aktivistë kulturor, organizatorë festivalesh, përfaqësues të OJQ-ve, përfaqësues të komunës së Prizrenit dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Çështjet për të cilat u diskutuan në këtë debat ishin: planifikimi dhe zhvillimi kulturor, strategjia kulturore, konservimi i integruar/trashëgimia kulturore, zhvillimi ekonomik dhe turizmi kulturor, infrastruktura kreative (artistike) dhe çështje të tjera në relacion me planifikimin urban. Gjatë debatit u prezentuan edhe të gjeturat e anketës së fundit me 400 respondentë në Prizren mbi perceptimet e qytetarëve për planifikimin urban.

Zhvillimi ekonomik përmes turizmit kulturor ishte në fokus të diskutimit të sotëm, përderisa ende shqetësues mbetet fakti i mos prioritizimit të kërkesave të këtij grupi të komunitetit në raport me planifkiminin urban.
 

Rrjetëzimi