Mbahet takimi me banorët e lagjes “Jeta e Re”, diskutohen sfidat urbane dhe mjedisore

EC Ma Ndryshe ka mbajtur një takim me banorët e lagjes “Jeta e Re” në Prizren në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të DHSP-së nga Komuna e Prizrenit dhe ata nga KMM “Eco Regjioni” – Njësia në Prizren.
Në këtë takim, u diskutuan problemet kryesore që prekin komunitetin, si ndotja nga ndërtimet, mungesa e pastërtisë në rrugë, pikat ilegale të mbeturinave, trafiku dhe mungesa e shenjëzimit rrugor. Po ashtu, u ngritën shqetësime për ndriçimin publik, mungesën e çerdhes, qentë endacakë dhe vështirësitë në lëvizje për të moshuarit për shkak të mungesës së transportit urban brenda lagjes.
Përfaqësuesit institucionalë ofruan sqarime mbi shërbimet ekzistuese dhe inkurajuan qytetarët që të raportojnë problemet përmes kanaleve zyrtare, si dhe të adresojnë kërkesat me shkrim për zgjidhje konkrete.
Takimi u përmbyll me një vizitë në terren, ku pjesëmarrësit panë nga afër problemet e evidentuara, me fokus të veçantë në pikat ilegale të hedhjes së mbeturinave.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



