Mbahet trajnimi “Prizreni i qëndrueshëm: Zhvillimi qarkor, zgjidhjet e bazuara në natyrë dhe planifikimi pjesëmarrës”

EC Ma Ndryshe ka organizuar trajnimin “Prizreni i qëndrueshëm: Zhvillimi qarkor, zgjidhjet e bazuara në natyrë dhe planifikimi pjesëmarrës”, në kuadër të projektit Hapësirat publike për të gjithë.


Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave, studentët, gratë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.


Trajnimi ka shërbyer për të forcuar kapacitetet e komunitetit për të kuptuar konceptet e zhvillimit qarkor, ndikimet lokale të ndryshimeve klimatike dhe rëndësinë e planifikimit pjesëmarrës për krijimin e hapësirave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.


Në këtë kuadër janë mbajtur pesë sesione të shkurtra tematike: “Qarkullimi që mbështet komunitetin”, ku Sytrime Dervisholli ka folur për ekonominë qarkore, ESG dhe hapësirat publike; “Klimat Urbane”, ku Bashkim Kastrati ka folur për ndryshimet klimatike, përmbytjet dhe valët e të nxehtit; “Ndërtim me bazë natyrore”, ku Erzë Dinarama ka folur për zgjidhje natyrore dhe gjelbërim urban; “Qytetet e Shëndetshme”, ku Dea Luma ka folur për neoarkitekturën dhe neourbanizmin, mirëqenien sociale dhe hapësirat e gjelbra; dhe “Qyteti që na përfaqëson”, ku Flaka Xërxa Beqiri ka folur për identitetin urban dhe trashëgiminë arkitekturore.


Ky trajnim ka shërbyer si platformë për shkëmbim idesh dhe rritje të ndërgjegjësimit qytetar, duke kontribuar drejt ndërtimit të një Prizreni me hapësira publike më të gjelbra, më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All", të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Rrjetëzimi