Milionat e restaurimeve kanë prodhuar monumente të mbyllura

EC Ma Ndryshe sot ka publikuar analizën “Milionat e shpenzuara për monumentet e mbyllura” e cila vlerëson ndikimet dhe përfitimet e intervenimeve disa milionëshe në monumentet e trashëgimisë kulturore në Prizren dhe në infrastrukturën në Qendrën Historike të qytetit. Rezultatet e këtij hulumtimi janë dekurajuese, për faktin se milionat e investuara gjatë dekadës së fundit në 10 monumente të trashëgimisë kulturore kanë prodhuar vetëm realitetin e dyerve të mbyllura për publikun vendor dhe vizitorët e huaj, me zero efekt ekonomik për qytetin dhe pothuajse asnjë dobi konkrete për komunitetin. 

 

Komuniteti ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prizrenit, në dekadën e fundit kanë shpenzuar afër 3 milionë euro në projektet restauruese/konservuese në këto monumente. Në bazë të monitorimit të aktiviteteve në këto monumente del se shumica e tyre i kanë dyert e mbyllura për publikun, apo nuk janë duke u shfrytëzuar për destinimin e caktuar sipas fondeve të ndara për intervenime. Shprehur në shifra dyert e këtyre monumenteve në total kanë qenë të mbyllura prej 300 deri 350 muaj. Shuma e mjeteve të gjeneruara nga aktiviteti eventual ekonomik në këto monumente deri tani është 0 euro, derisa vetëm 1 prej tyre ka plan menaxhimi, përkatësisht Hamami i Gazi Mehmed Pashës.

 

Të gjitha këto të gjetura dëshmojnë se niveli lokal dhe qendror i qeverisjes, ani pse në planet e veta strategjike e vendosin si shtyllë të rëndësishme të zhvillimit edhe trashëgiminë kulturore dhe turizmin, megjithatë në realitet nuk kanë ide e plane sesi ta jetësojnë këtë konkretisht në funksion të përfitimit të vërtetë ekonomik. Rrjedhimisht mjete të shumta të buxhetit shpenzohen e nuk kthehen si dobi të dyfishuara për taksapaguesit. Ekzistimi i vetëm një plani të menaxhimit te 10 objekte të trashëgimisë kulturore është dëshmi e mjaftueshme për këtë.
 
Në këtë aspekt, praktikat e mosfunksionalizimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore mund të jenë dekurajuese edhe për donatorët ndërkombëtarë. Prandaj, në këtë pikë edhe vet donatorët duhet të kushtëzojnë mbështetjen e projekteve restauruese-konservuese me ekzistimin e planeve të menaxhimit për monumentet e trashëgimisë kulturore.

 

Lexoni analizën e shkurtër këtu (SHQ - ENG). Gjeni infografikën ilustruese këtu.

Rrjetëzimi