Në Suharekë mbahet takimi konsultativ me hisedarët për sfidat e menaxhimit të Pellgjeve Lumore

EC Ma Ndryshe ka organizuar takimin konsultativ me qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve lokale, bujqit dhe peshkatarët nga Komuna e Suharekës, për të diskutuar sfidat që lidhen me menaxhimin e pellgjeve lumore në këtë komunë.
Takimi ka krijuar mundësi për diskutim të hapur mbi gjendjen aktuale të lumenjve, me përqendrim në aspektin mjedisor dhe të biodiversitetit. Me këtë rast, pjesëmarrësit kanë ndarë shqetësimet dhe përvojat e tyre, si dhe kanë paraqitur idetë dhe rekomandimet për përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore në nivel lokal.
Njëra nga shqetësimet kryesore në Komunën e Suharekës sipas komunitetit janë vërshimet, të cilat sipas përvojës së pjesëmarrësve lidhen edhe me ngushtimin e shtratit të lumenjve si pasojë e ndërtimeve dhe hedhjes së materialeve ndërtimore në lumenj. Po ashtu janë përmendur edhe problemet që lidhen me shkarkimin e ujërave të zeza në lumenj, mungesa e impianteve funksionale për trajtimin e tyre, si dhe vështirësitë me furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona të komunës.
Tutje u propozuan disa masa për adresimin e këtyre sfidave, si pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e shtratit të lumenjve, ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe ndërtimi i një dige dhe krijimi i një liqeni artificial në zonën e Dragaqinës, i cili do të mund të shërbente për ujitje dhe furnizim me ujë të pijshëm.
Ky aktivitet synon të sjellë më afër institucionet dhe komunitetin lokal, duke nxitur bashkëpunim dhe veprime konkrete për mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë të ekosistemeve ujore në Komunën e Suharekës.



