Nxënësit diskutojnë për ndryshimet klimatike pas shfaqjes së filmit në Këndin Amerikan

EC Ma Ndryshe ka organizuar shfaqjen e një filmi dokumentar mjedisor në Këndin Amerikan në Prizren, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta “Naim Frashëri” nga Vlashnja dhe “Emin Duraku” nga Prizreni.
Aktiviteti është shoqëruar me diskutime mbi efektet e ndryshimeve klimatike, ndikimin e tyre në ekosisteme dhe masat që komuniteti mund të ndërmarrë për mbrojtjen e mjedisit.
Në aktivitetin ndërgjegjësues fillimisht është projektuar dokumentari frymëzues mbi planetin dhe sfidat që ndikojnë në ndryshimet klimatike. Pas shfaqjes, ambientalisti Naser Bresa udhëhoqi një bisedë me nxënësit, duke e vendosur temën në kontekst lokal. Pjesëmarrësit patën mundësi të ndajnë mendimet e tyre, të parashtrojnë pyetje dhe të fitojnë njohuri të reja.
Në diskutime u theksua rëndësia e edukimit, angazhimit qytetar dhe politikave të qëndrueshme si mjete kyçe për mbrojtjen e ekosistemeve dhe përballjen me sfidat klimatike. Ky aktivitet shërbeu si një platformë ndërgjegjësimi dhe frymëzimi për veprime konkrete që mund të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.



