Nxënësit e shkollave të mesme pikturojnë vlerat e trashëgimisë kulturore të Gjakovës

EC Ma Ndryshe ka realizuar aktivitetin me titull “Ta vizatojmë qytetin e lashtë”, ku një grup i përzgjedhur i nxënësve të shkollave të mesme të larta, nën mbikëqyrjen e mësimdhënësve të artit figurativ, kanë realizuar punime artistike me motive të trashëgimisë kulturore të Gjakovës.


Aktiviteti nisi me një shëtitje njëorëshe në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër monumentet dhe elementet arkitektonike që përbëjnë identitetin kulturor të Gjakovës. Pas shëtitjes, nxënësit krijuan pikturat e tyre duke pasqyruar vizionin personal për qytetin e lashtë.


Punimet artistike të realizuara përfshinë detaje të ndryshme, duke i dhënë një qasje të re interpretimit të trashëgimisë së qytetit. Në fund të aktivitetit, një komision i posaçëm vlerësoi punimet e paraqitura, ku piktura e nxënëses Renea Morina nga ShM “Prenk Jakova” u shpall fituese.


“Ta vizatojmë qytetin e lashtë” u karakterizua si një aktivitet me frymë garuese, por njëkohësisht edhe si një platformë e rëndësishme për të nxitur kreativitetin dhe talentin artistik të të rinjve. Përmes këtij aktiviteti, përveç zhvillimit të shprehive artistike, u promovua edhe ndërgjegjësimi për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike që Gjakova bart brez pas brezi.


Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit "Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni" që zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Rrjetëzimi