Nxënësit e shkollave të mesme pikturojnë vlerat e trashëgimisë kulturore të Prizrenit

EC Ma Ndryshe ka realizuar aktivitetin me titull “Ta vizatojmë qytetin e lashtë”, ku një grup i përzgjedhur i nxënësve të shkollave të mesme të larta, nën mbikëqyrjen e mësimdhënësve të artit figurativ, kanë realizuar punime artistike me motive të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.


Aktiviteti nisi me një shëtitje njëorëshe në qendrën historike të qytetit, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër monumentet dhe elementet arkitektonike që përbëjnë identitetin kulturor të Prizrenit. Pas shëtitjes, nxënësit u vendosën në Shtëpinë e Kulturës, ku krijuan pikturat e tyre duke pasqyruar vizionin personal për qytetin e lashtë.


Punimet artistike të realizuara përfshinë detaje të ndryshme, duke i dhënë një qasje të re interpretimit të trashëgimisë së qytetit. Në fund të aktivitetit, një komision i posaçëm vlerësoi punimet e paraqitura, ku piktura e nxënëses Genta Kryeziu nga ShMLM “Luciano Motroni” u shpall fituese.


“Ta vizatojmë qytetin e lashtë” u karakterizua si një aktivitet me frymë garuese, por njëkohësisht edhe si një platformë e rëndësishme për të nxitur kreativitetin dhe talentin artistik të të rinjve. Përmes këtij aktiviteti, përveç zhvillimit të shprehive artistike, u promovua edhe ndërgjegjësimi për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike që Prizreni bart brez pas brezi.


Aktiviteti "Ta vizatojmë qytetin e lashtë" javët në vijm do të zhvillohet edhe në qytete tjera.


Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit "Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni" që zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Rrjetëzimi