Parkingjet brenda Qendrës Historike të Prizrenit

Qarkullimi në rritje i automjeteve brenda Qendrës Historike të Prizrenit (QHP) po ndikon negativisht në këtë zonë të mbrojtur, ngase krahas degradimit po ngarkohen rrugicat dhe hapësirat brendaj saj. Dita e ditës numri i veturave po shtohet dhe me këtë natyrshëm po shtohet edhe kërkesa për parkingje. Në vitet e shkuara, për akomodimin e kësaj kërkese, kanë pësuar kryesisht ndërtesat e trashëgimisë vernakulare, duke dëmtuar përpjekjet për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, që gëzon mbrojtje ligjore.
Sipas nenit 12 të Ligjit 04/L-066 të Qendrës Historike të Prizrenit, në këtë zonë duhet promovuar mjetet jo-motorike të transportit: “Lëvizja e automjeteve; Organi kompetent komunal për rregullim të trafikut, harton planin dhe regjimin e posaçëm të transportit automobilistik për Qendrën Historike të Prizrenit me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lehtë dhe të vazhdueshme, duke promovuar mjetet jo-motorike të transportit”.
Duke e parë gjendjen aktuale të qarkullimit të mjeteve motorike, është shtuar dukshëm nevoja e hartimit të një Plani të Mobilitetit, i cili do të rregullonte qasjen e të gjitha kategorive rrugore brenda QHP. Kjo me qëllim që të pakësohet numri i automjeteve brenda QHP dhe të lirohen hapësirat e uzurpuara për lëvizje të lirë të këmbësorëve.
Me numër më të madh janë parkingjet private, të cilat janë krijuar duke u rrënuar shtëpitë tradicionale të qytetit të Prizrenit. Ato kryesisht janë brenda parcelave private, por të cilat po ndikojnë në shtimin e numrit të automjeteve brenda QHP.
Parkingjet e uzurpuara të cilët janë me numër shumë më të madh krahasuar me vitet e kaluara janë kryesisht ato mbi trotuare dhe në rrugë. Ato ndikojnë direkt tek pengesa e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe uzurpimeve të pronës publike.
Po ashtu janë identifikuar 3 parkingje publike të cilat shërbejnë për qytetarët të cilët mund të kryejnë shërbime brenda QHP, por që nuk rekomandohet që të parkohen mbi 1 orë.
Shtimi i numrit të automjeteve brenda QHP po ndikon në degradimin e qendrës dhe në ngarkesën e shumë rrugëve dhe hapësirave brenda saj. Dita e ditës numri i veturave po shtohet dhe të njëjtën kohë po shtohet edhe kërkesa për parkingje.
Zona brenda sheshit të Shadërvanit është zonë e qarkullimit me leje të veçantë, të cilët mund të pajisen vetëm banorët, bizneset dhe punëtorët publik të cilët punojnë brenda sheshit. Në gjendjen ekzistuese, në Shadërvan qarkullimi më i madh veturave është pa leje të veçantë, të cilët edhe po e ngarkojnë më shumë sheshin. Po ashtu nëse referohemi tek Plani i Konzervimit i QHP, tregohet qartë kategoria e rrugëve dhe mënyra e qarkullimit, ku specifikisht tregohet se në sheshin Shadërvani ndalohet plotësisht qarkullimi i mjeteve motorike. Duke u referuar në Planin e Konzervimit mund të jetë baza ndaj të së cilës mund të hartohet Plani i Mobilitetit. Ky plan qëllim kryesor ka menaxhimin e qendrës në aspekt motoristik, në të cilën kategorizohen shtresat rrugore, mënyra e lëvizjes së veturave dhe kufizimet e lëvizjeve.
Një qytet me më pak vetura do të kishte ndikim në krijimin e një ambienti më të pastër dhe më cilësor, do të lironte hapësirat e bllokuara, do të ishte më i qasshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët dhe do të ofronte vizura sa më të bukura të qytetit. Andaj rekomandohet që sa më parë të hartohet Plani i Mobilitetit dhe të fillojë implementimi i tij në mënyrë që të ulet degradimi i Qendrës Historike të Prizrenit.

Rrjetëzimi