Punimet në rrugën “Berati” shpërfillin pëlqimin e lëshuar nga QRTK-Prizren

Punimet e fundit në rrugën “Berati” në Qendrën Historike të Prizrenit në kuadër të projektit që implementohet nga Drejtoria për Shërbime Publike e Komunës së Prizrenit janë realizuar pa i respektuar rekomandimet respektivisht kushtet e përshkruara në pëlqimin e lëshuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.


Pëlqimi për punimet në rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në zonën e Nënkalasë, sipas QRTK-së është lëshuar në vitin 2021. Por në muajt e fundit në terren është vërejtur se gjatë realizimit të punimeve si në rrugën “Berati” ashtu edhe në rrugët tjera nuk janë respektuar kushtet e përshkruara në pëlqimin në fjalë.
QRTK ka njoftuar se vazhdimisht ka njoftuar institucionet kompetente, përkatësisht Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së për mosrespektimin e pëlqimit të QRTK-Prizren.


Bazuar në dokumentet e QRTK-së, del se më 26 dhjetor 2023, inspektoratet e sipërpërmendura janë njoftuar lidhur me mosrespektimin e pëlqimit të QRTK, ku zyrtarët e kësaj qendre gjatë vizitës në terren në rrugën "Berati" në Nënkala kanë vërejtur se "pas përfundimit të punimeve nuk është rikthyer gjendja fillestare, e mëparshme e rrugës, e cila në shtresën e sipërme ka qenë e shtruar me gurë lumor, ndërsa pas përfundimit të punimeve shtresa e sipërme është mbushur apo mbuluar me beton".


Me këtë rast QRTK ka kërkuar ndërmarrjen e masave ligjore për mosrespektimin e vendimit të lëshuar nga QRTK Prizren.


EC përkujton se Qendra Historike e Prizrenit është një zonë e mbrojtur me ligj, dhe kërkon nga autoritetet komunale që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për rikthimin e gjendjes fillestare në rrugën “Berati” dhe në rrugët tjera të kësaj zone, duke respektuar legjislacionin në fuqi, Planin e Menaxhimit dhe vendimet e autoriteteve të trashëgimisë kulturore. EC i bën thirrje Komunës së Prizrenit që në të gjitha aktivitetet dhe projektet të ketë parasysh rëndësinë e kësaj zone dhe të përkujdeset maksimalisht për garantimin e integritetit të kësaj zone të rëndësishme historike dhe kulturore.

Rrjetëzimi