Shkolla e Aktivizmit në Komunitet

EC Ma Ndryshe ka realizuar aktivitetin tre ditor “Shkollën e Aktivizmit në Komunitet”. Kjo shkollë ka për qëllim aftësimin e të rinjve si dhe t’iu ofrojë atyre një përvojë unike të aplikimit të dijeve të fituara në praktikë.
Përgjatë këtyre ditëve të rinjtë nga komuna e Deçanit, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit janë informuar mbi mekanizmat e aktivizmit dhe metodat e mobilizimit. Ata patën mundësi që përmes ligjëratave dhe punëtorive të organizuara, të angazhohen lidhur me tema të ndryshme.


Bashkë me ligjëruesit, trajnerët dhe mentorët, pjesëmarrësit përmes detyrave të dhënave diskutuan rreth problemeve mjedisore më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi ynë, si dhe përmes shembujve konkretë, ata propozuan zgjidhje për përmirësimin e kësaj situate.


Poashtu, ata patën mundësinë që të mësojnë edhe rreth të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me theks të veçantë rreth të drejtës për qasje në dokumente/informacione publike, si dhe rreth strukturave përfaqësuese rinore dhe avokimin për çështjet rinore.


Kurse gjatë ditës së fundit, të rinjtë mësuan dhe diskutuan më tepër rreth aktivizmit si formë të mobilizimit për formësim urban dhe mjedisor si dhe rreth dizajnimit të ciklit të një projekti, pastaj rreth hapave të realizimit të një projekti, pasi të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në shkollë me një ide të tyren të cilën ata e shohin të nevojshme ta realizojnë për të mirën e komunitetit.


Për përpunimin e këtyre ideve fillestare të tyre, pjesëmarrësit janë asistuar nga trajnerët dhe mentorët përmes punëtorive dhe punës në grupe.
Në fund të kësaj shkolle të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur edhe me certifikata të pjesëmarrjes.

Rrjetëzimi