Shtëpia e vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit rrënohet me leje institucionale

Shtëpia me vlera të trashëgimisë kulturore dhe tipare karakteristike të arkitekturës së banimit të qytetit në rrugën “Bajrakli”, që është pjesë e Qendrës Historike të Prizrenit, është rrënuar. Sipas informatave fillestare që ka siguruar EC-i ndërtesa në fjalë është rrënuar me leje institucionale, në bazë të një raporti të Komisionit të përbashkët të përbërë nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit, QRTK-së dhe KTK-së. Përkundër paralajmërimit të EC-it për rrezikun e shkatërimit të ndërtesës muaj më parë, nuk është ndërmarrë asnjë veprim institucional për parandalimin e saj.

Bazuar në informatat fillestare, shtëpia në fjalë është pjesë e një grupi të shtëpive që kanë degraduar fizikisht, prandaj dhe institucionet e sipërpërmendura kanë marrë vendim për pastrim/rrënim, për arsye të sigurisë së qytetarëve. Gjithashtu është theksuar se është bërë inventarizimi i ndërtesës dhe se çdo ndërtim i ri në atë lokacion duhet t'i përshtatet ndërtesës së vjetër në bazë të matjeve që janë bërë. Të gjitha këto informata do të hulumtohen dhe analizohen nga EC-i në ditët në vijim.

EC Ma Ndryshe konsideron se siguria e qytetarëve është prioritet. Në këtë linjë thekson se institucionet në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që shtëpitë e vjetra dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik për sigurinë publike. Për këtë arsye, EC kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rrisin vigjilencën për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë veprime të duhura me kohë ashtu që ndërtesat e trashëgimisë kulturore mos të shndërrohen në rrezik për qytetarët, por të jenë aset i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe i zhvillimit të qytetit.

Në këtë situatë EC tërheq vëmendjen se vendimmarrja apo vlerësimi i përbashkët i institucioneve lidhur me grupin e ndërtesave që kanë degraduar fizikisht nuk ka qenë transparent për publikun. Gjithashtu, EC konsideron se duhet të zhvillohet një diskutim i gjërë publik për qasjen që duhet të përdoret në këto raste, me ç’rast do t’i kontribuonte procesit për gjetjen e zgjidhjeve të duhura edhe për të ardhmen.

 

Rrjetëzimi