Si e vlerëson Komisioni Evropian gjendjen e mjedisit në Kosovë?

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën ku në kuadër të çështjeve mjedisore ka vënë në pah vlerësimet pozitive, sfidat, ngecjet dhe çështjet që duhen adresuar për të përparuar më tej gjendjen mjedisore.


Ky raport vlerëson se Kosova ende mbetet në një fazë të hershme të përgatitjes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, dhe se është bërë përparim i kufizuar në këtë fushë. Sipas rekomandimeve të BE-së, Kosova duhet të rris angazhimin politik për të trajtuar degradimin e mjedisit dhe të përmirësojë ndjeshëm zbatimin e legjislacionit duke e harmonizuar atë me Axhendën e Gjelbër për qëllimet e Ballkanit Perëndimor.


Cilësia e ajrit vazhdon të mbetet edhe këtë vit një aktualitet që i përket gjendjes së rënduar duke u konsideruar si një kërcënim i madh për shëndetin.
Edhe pse identifikimi i detajuar i burimeve të ndotjes së ajrit është përfunduar, Kosova ka dështuar në zbatimin e masave korrigjuese për frenimin e ndotjes, thuhet në raport. Në qershor të vitit 2022, Kosova miratoi Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja. Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve për të siguruar të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër, duke mbrojtur shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit nga ndotja e ajrit. https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2669


Megjithatë, zbatueshmëria e këtij ligji vazhdon të mbetet e brishtë dhe Kosova vazhdon të mos zbatojë ndalimin e thëngjillit për ngrohje. Është mëse urgjente që vendi ynë të fillojë me investime të formave të tjera të ngrohjes duke qenë se në këtë mënyrë një barrë e madhe që po shkakton ndotjen e ajrit do të largohej nga supet e Kosovës.


Në kuadër të këtij raporti poashtu shtjellohet edhe menaxhimi i mbeturinave. Në Kosovë, shumica e mbeturinave ende përfundojnë në deponitë që nuk menaxhohen siç duhet ose janë të kategorizuara si venddepozitime të paligjshme. Kjo nënkupton që, përkundër angazhimit të vazhdueshëm, deponitë ilegale vazhdojnë të jenë sfidë e cila domosdoshmërisht duhet të merr trajtim urgjent.


Për më tepër, në raport thuhet se ende mbetet aktuale paqëndrueshmëria e sistemit të menaxhimit të tyre. “Ligjin për Mbeturina” Kuvendi e miratoi me vonesë në gusht të vitit 2022, duke harmonizuar legjislacionin e Kosovës me direktivën kornizë për mbeturinat.


Megjithatë, Kosova ka nevojë për të rritur kapacitetin në të gjitha nivelet dhe të vendos objektiva dhe afate kohore reale për të siguruar zbatimin efektiv të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe ekonomisë rrethore, thuhet në këtë raport. Mosmenaxhimi i duhur i mbeturinave në Kosovë është duke shkaktuar probleme zingjirore të cilat po e shfaqin ndikimin e tyre në shumë nivele ekologjike, madje në shumicën e rasteve po shkaktojnë edhe dëme irreversibile, andaj zgjidhja duhet të jetë urgjente, sepse tashmë veçse është e stërvonuar.


Sa i përket harmonizimit të legjislacionit për ujërat me “acquis” të BE-së, Kosova ka bërë disa përparime. Niveli i përafrimit dhe mekanizmi monitorues i Strategjisë së Ujërave 2017-2036 si dhe zbatimi i ligjit për ujëra megjithatë mbeten të pamjaftueshme. Monitorimi i cilësisë së ujërave sipërfaqësore është i kënaqshëm, ndërsa rrjeti i monitorimit të burimeve ujore nëntokësore është i paplotë. Planifikimi dhe ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në qytetet e mëdha treguan përparim të konsiderueshëm thuhet në raport.
Në një hulumtim të realizuar nga EC Ma Ndryshe (Monitorimi i Sektorit të Mjedisit- 2021) thuhet se aktualisht impiante funksionale për trajtimin e ujërave të ndotura janë impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Skënderaj me kapacitet vjetor rreth 734,421 m3, si dhe 2 impiante (Harilaq dhe Badovc) me kapacitet të vogël (104,750 m3/vit). https://www.ecmandryshe.org/.../220805044520_ADMINISTRATA....


Për regjionin e Prizrenit veç ka përfunduar ndërtimi i impiantit të tillë, derisa në në Pejë është përuruar javën e kaluar impianti për ujërat e zeza.


Në raportin e progresit, shtjellohet edhe Strategjia për Mjedis dhe Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2031 që ende nuk është miratuar. Planet e detajuara rregulluese për të dy Parqet Kombëtare janë ri-hartuar në plane të pjesshme që mbulojnë zona më të vogla. Në anën tjetër, edhe Plani i Veprimit për Biodiversitet 2016-2020 është ende pjesërisht i zbatuar sepse zonat e përcaktuara vazhdojnë të jenë të ndotura dhe vazhdon të zhvillohen aktivitete të paligjshme: si gjuetia dhe prerja e pyjeve.


Ndërsa sa i përket Strategjisë së Ndryshimeve Klimatike 2019-2028 dhe Planit të Veprimit për periudhën 2021-2023, vlerësohen se janë shumë të kufizuara. Ligji për ndryshimet klimatike ende nuk është miratuar, derisa edhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë po përballet me vonesa serioze. Kosova vazhdon të mbështet shumë thëngjillin e që nënkupton së në këtë mënyrë nuk është në përputhje me kufijtë e emetimeve të përcaktuara sipas Planit Kombëtar të Reduktimit të Emisioneve, që synon të reduktojë gradualisht emetimet e dioksidit të squfurit (SO2), oksideve të azotit (NOx) dhe pluhurit të imët (PM). https://bit.ly/3DaZTeL


Edhe pse Kosova ka ndërmarrë hapa për të filluar inventarizimin e habitateve natyrore dhe të llojeve, përcaktimi i vendeve të mundshme “ NATURA 2000” është ende në një fazë shumë të hershme. Ndryshe, “Natura 2000” është një rrjet evropian i zonave të mbrojtura të natyrës i cili ka për qëllim të sigurojë mbijetesë afatgjate të specieve dhe habitateve të kërcënuara të Evropës. https://ec.europa.eu/envir.../nature/natura2000/index_en.htm


Shumica e rekomandimeve të mëparshme të dala nga raporti i tillë ende nuk janë zbatuar. Prandaj edhe në vitin e ardhshëm, sipas BE-së Kosova në veçanti duhet:
• të rris mbulimin e grumbullimit të mbetjeve, të aplikojë parimet eko-miqësore: reduktimin, riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve,
• të harmonizojë dhe filloj zbatimin e dispozitave ligjore për përgjegjësinë mjedisore, dëmtimin dhe krimin; të zbatojë parimin ndotësi paguan dhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi mbrojtjen e mjedisit;
• të zbatojë strategjinë e ndryshimeve klimatike dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, të përgatis udhërrëfyesin për përafrim me Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe të miratojë një Plan Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, në përputhje me Komunitetin e Energjisë, dhe të finalizojë hartimin e strategjisë afatgjate të dekarbonizimit.
Ndërsa edhe EC rekomandon që:
• Të trajtohen me prioritet çështjet mjedisore në Kosovë duke përfshirë këtu edhe përpjekjet për ndërgjegjësim të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit si dhe të intensifikohen angazhimet sa i përket harmonizimit të legjislacionit me direktivat e BE-së.

Rrjetëzimi