Të rinjtë po mësojnë për aktivizmin në komunitet

EC Ma Ndryshe sot ka filluar ciklin e parë të shkollës për aftësimin e të rinjve për aktivizëm në komunitet në kuadër të projektit ‘AktRural’. Shkolla ka tre module dhe është e dizajnuar në atë mënyrë që t’i ofrojë pjesëmarrësve një përvojë unike disa mujore të aplikimit të dijeve të fituara në praktikë, nën mbikëqyrjen dhe asistencën e mentorëve me përvojë në aktivizëm dhe mobilizim të komunitetit.

Në modulin e parë të këtij cikli, që po zhvillohet këtë fundjavë, 30 të rinjë nga komuna e Prizrenit, Dragashit, Therandës (Suharekës), Mamushës, Gjakovës, Malishevës dhe Rahovecit po informohen mbi teknikat e aktivizmit dhe metodat e mobilizimit. Para këtyre të rinjve nga Fisnik Minci është trajtuar tema "Metodat e hulumtimit, aktet ligjore dhe marrëdhëniet me publikun dhe median", ndërsa tema tjetër e elaboruar nga Ardita Byci është "Roli i rinisë në pjesëmarrje dhe vendimmarrje gjatë hartimit dhe planifikimit të projekteve". Në këtë shkollë pjesëmarrësit do të asistohen nga mentorët edhe në përpunimin e ideve fillestare për aktivizëm në komunitet. Në modulin vijues idetë e përzgjedhura të aktivizmit do të vihen në praktikë ndërkohë që në modulin e tretë dhe të fundit do të punohet mbi qëndrueshmërinë e tyre.

Organizimi i kësaj shkolle financohet nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Rrjetëzimi