Vazhdojnë intervenimet e gjelbra nga EC

EC ka realizuar intervenimin e radhës në një nga hapësirat publike “të lëna pas dore”, saktësisht në rrugën “Alpet Shqiptare”, që ka ardhur si rrjedhojë e takimeve të realizuara me banorët e kësaj lagjeje.


Fillimisht në këtë vend është realizuar një aksion i pastrimit, e pastaj bashkë me fëmijët e kësaj lagjeje është kryer edhe një aksion i mbjelljes së disa fidanëve të llojeve Blin dhe Catalpa, si dhe ngjyrosja e rrethojave përreth me qëllim të krijimit të një hapësire më kreative.


Secilit fëmijë të lagjes i është dhënë mundësia që në fidanin e mbjellur ta shënoj emrin e vet me qëllim që t’i inkurajojë ata për angazhimin personal për kujdesin dhe mirëmbajtjen që duhet treguar ndaj fidanëve të mbjellur.


Në një hulumtim që EC ka realizuar muaj më parë, është marrë mendimi i qytetarëve rreth kontributit që i jipet shtimit të hapësirave të gjelbra në hapësira publike. Mirëpo bazuar në përgjigjet e tyre shihet që ata nuk janë të kënaqur; 49.5% të të anketuarve janë përgjigjur se fidanë mbillen mesatarisht mjaftueshëm në Prizren, ndërkaq 44% janë përgjigjur se nuk po mbillen mjaftueshëm fidane, e që vetëm 6% janë përgjigjur se mbillen mjaftueshëm.


Gjelbërimi urban ndihmon shëndetin tonë fizik dhe mendor, si dhe kompenson disa nga emetimet e karbonit që krijohen e që përndryshe do të kontribuonin në ndryshimin e klimës. Andaj EC duke u bazuar në këto fakte si dhe në kërkesat e qytetarëve, po vazhdon që të kontribuojë me intervenime të natyrës së tillë.

Rrjetëzimi