Hapet punëtoria mjedisore “Ndryshimet Klimatike në Kosovë”




EC Ma Ndryshe të premten ka filluar sesionin e parë të punëtorisë mjedisore me temën “Ndryshimet Klimatike në Kosovë”.
Kjo punëtori synon të ofrojë një qasje gjithëpërfshirëse për pjesëmarrësit, për të kuptuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë nga këndvështrime të ndryshme, përfshirë kornizën ligjore, analizat shkencore, hulumtimet akademike dhe përvojën e drejtpërdrejtë nga komunitetet e prekura.
Në këtë punëtori pjesëmarrësit vijnë nga institucionet qendrore dhe lokale, organizatat joqeveritare, mediat dhe universitetet.
Gjatë sesionit të parë me temën “Politikat dhe Korniza Ligjore mbi Ndryshimet Klimatike në Kosovë”, janë shqyrtuar kuadri ligjor lidhur me ndryshimet klimatike, strategjitë sektoriale, mekanizmat rregullatorë dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës. Përmes diskutimeve është analizuar mënyra se si institucionet shtetërore zbatojnë politikat klimatike, pastaj sfidat me të cilat përballen dhe mundësitë për përmirësim të mëtejshëm në këtë aspekt.