Nxënësit e Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren transformojnë hapësirën shkollore me iniciativën e gjelbër

Në kuadër të aktivitetit “Veprime Lokale të Udhëhequra nga të Rinjtë – Aktivizimi i Komunitetit për Mbrojtjen e Mjedisit”, nxënësit e Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren kanë ndërmarrë nismën konkrete për përmirësimin e hapësirave të tyre shkollore, duke dëshmuar se ndryshimi fillon nga veprimet e vogla lokale.
Ky intervenim vjen si rezultat i angazhimit të tyre në Shkollën e Aktivizmit, ku pas sesioneve informuese, të rinjtë propozuan ide për intervenime të gjelbra në komunitetin e tyre. Njëra ndër këto ide u jetësua përmes revitalizimit të këndit të gjelbër brenda hapësirave të shkollës, i cili tashmë është shndërruar në një ambient më tërheqës, edukativ dhe frymëzues për të gjithë nxënësit.
Përmes punës së përbashkët, nxënësit kontribuuan në rregullimin dhe zbukurimin e këtij këndi, duke shtuar elemente të gjelbra dhe duke krijuar një hapësirë që reflekton rëndësinë e natyrës në jetën e përditshme. Ky transformim jo vetëm që përmirëson estetikën e shkollës, por edhe shërben si një shembull i mirë i angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit.
Një dimension i veçantë i aktivitetit ishte edhe shprehja kreative e mesazheve mjedisore përmes pikturave dhe vizatimeve të realizuara nga vetë nxënësit.
Këto punime artistike përcjellin mesazhe për mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e biodiversitetit dhe rëndësinë e kujdesit ndaj natyrës, duke e kthyer hapësirën shkollore edhe në një platformë të ndërgjegjësimit.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra - Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.



