Nxënësit e shkollës “Motrat Qiriazi” mësojnë për klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban

EC Ma Ndryshe ka realizuar prezantim edukativ në SHFMU “Motrat Qiriazi” në Prizren, të përqendruar në ndërgjegjësimin e gjeneratave të reja rreth ndryshimeve klimatike dhe ndikimit urbanistik. Ligjërata përmes një sesioni ndërveprues ka afruar nxënësit me konceptet mjedisore dhe rëndësinë e hapësirave të qëndrueshme urbane.
Prezantimi u zhvillua sipas një skenari të strukturuar, duke filluar me pyetjen themelore: “Pse po flasim për klimën sot?”. Në vijim, nxënësit u njohën me realitetin e ndryshimeve klimatike në Kosovë, mënyrat se si urbanizimi ndikon në mjedis, si dhe me konceptin e ndikimit urbanistik në jetën e përditshme.
Një pjesë e veçantë e ligjëratës iu kushtua lidhjes mes ndryshimeve klimatike dhe qytetit të Prizrenit, duke theksuar se si zhvillimet urbane, planifikimi hapësinor dhe mungesa e gjelbërimit mund të ndikojnë në temperaturat, cilësinë e ajrit dhe mirëqenien e komunitetit. Sesioni përfundoi me reflektimin: “Çka mund të bëjmë ne?”, duke i inkurajuar nxënësit të mendojnë për veprime konkrete individuale dhe kolektive.
Në fund të aktivitetit, nxënësit morën pjesë në një mini-diskutim, ku secili prej tyre shkroi dhe prezantoi idetë e veta rreth pyetjes: “Cili vend në Prizren ka nevojë për më shumë gjelbërim dhe çka do të ndryshonit ju?”. Me idetë e tyre ata kanë shprehur dëshirën për një qytet më të gjelbër e më të shëndetshëm.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All", të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



