Punëtoria “Ndryshimet Klimatike në Kosovë” mbyllet me thirrjen për mbrojtjen e mjedisit, ekonomisë dhe mirëqenies














Punëtoria për “Ndryshimet Klimatike në Kosovë”, organizuar nga EC Ma Ndryshe, është përmbyllur të dielën, me konstatimin se nevojiten veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për të mbrojtur mjedisin, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Dita e tretë e punëtorisë i është përkushtuar ndikimit të ndryshimeve klimatike në bujqësi, si njëri prej sektorëve më të ndjeshëm. Ligjëruesi, që njëherësh është edhe fermer aktiv, ka ndarë përvojat personale mbi sfidat me të cilat përballet bujqësia në Kosovë për shkak të motit të paparashikueshëm, thatësirave të shpeshta dhe përhapjes së sëmundjeve të bimëve.
Diskutimi është përqendruar gjithashtu në ndikimin që vetë sektori i bujqësisë ka mbi ndryshimet klimatike dhe në nevojën për përshtatje të praktikave bujqësore me qëllim të zbutjes së këtij ndikimi. Me këtë rast janë prezantuar teknika të ndryshme, si menaxhimi i ujit dhe i tokës gjatë punimit të saj, si dhe metoda të tjera inovative që kontribuojnë në rritjen e qëndrueshmërisë së bujqësisë dhe në uljen e efekteve negative të saj në mjedis.
Përmes këtij sesioni është theksuar rëndësia për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve dhe politikëbërësve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe të përshtatshme për këtë sektor jetik.
Kjo punëtori ka ofruar një platformë të mirë për përfaqësuesit e institucioneve qendrore, atyre lokale, studentët, mediat, shoqërinë civile dhe ekspertët vendorë, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë.
Rekomandimet e dala nga ky aktivitet përfshijnë Forcimin e Kornizës Ligjore dhe Zbatimit; Përmirësimin e Monitorimit dhe Infrastrukturës Klimatike; Fuqizimi i Kapaciteteve Akademike dhe Hulumtimit; Transformimi i Hapësirave Publike dhe Planifikimit Urban; Mbështetja për Fermerët dhe Sigurinë Ushqimore; Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Përfshirjes Publike dhe Sigurimi i Financimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
Diskutimet gjatë sesioneve kanë nxjerrë në pah urgjencën e veprimit lidhur me ndryshimet klimatike në Kosovë, por edhe potencialin për ndryshim pozitiv përmes bashkëpunimit dhe inovacionit, me ç’rast konsiderohet se me mbështetjen e donatorëve, Kosova mund të transformojë sfidat në mundësi, duke ndërtuar një shoqëri më të gjelbër, më të drejtë dhe më elastike.