Për EC-in

Lajme

Organizata jo-qeveritare “Emancipimi Civil Ma Ndryshe” u themelua në mars të vitit 2006. Qëllimet kryesore të organizatës janë: promovimi i qytetarisë aktive dhe pjesëmarrëse dhe ngritja e vetëdijes qytetare për mbrojtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore. EC Ma Ndryshe është ndër themelueset dhe përfaqëson Kosovën në Rrjetin e Europës Juglindore të organizatave që merren me trashëgimi kulturore – SEE Heritage Network. Gjithashtu, është themeluese e Forumit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Rrjetit të Organizatave Kulturore të Prizrenit dhe Rrjetit të Organizatave të Pavarura të Kulturës në Kosovë – Forumi Kulturor.

EC Ma Ndryshe, që nga themelimi më 2006 është duke ushtruar presion direkt ndaj qeverisë lokale në Prizrenit për të krijuar qasje shoqërisë civile dhe qytetarëve për bashkëvendimmarrje. Përveç pjesëmarrjes direkte në proceset e konsultimeve publike, EC Ma Ndryhse ka avokuar rregullisht për respektimin e obligimeve ligjore për konsultime publike, përfshirjen sa më të gjerë komunitare në konsultime publike dhe përfshirjen e shqetësimeve dhe kërkesave të komunitetit në dokumentet e politikave publike. Për të ofruar një model konkret të konsultimit publik, EC Ma Ndryshe ka realizuar projektin “Forumet e Hapura Qytetare”, ku instrumenti i forumit është promovuar si model funksional i pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Për më tepër, përmes Forumit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, EC Ma Ndryshe ka ngritur një platformë avokuese për komunitetin kulturor të qytetit duke e shndërruar Forumin në një pjesëmarrës aktiv të formulimit të politikave kulturore në nivel lokal.

Në emër të promovimit të mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë, EC Ma Ndryshe ka qenë pjesë e dy Peticioneve në qytetin e Prizrenit, njëri për të parandaluar rrënimin e objektit të kinemasë së qytetit dhe tjetri për të kundërshtuar projekt-ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Njëra ndër veprimet konkrete me të rinjtë e qytetit ka qenë bashkëpunimi me Festivalin Dokufest për të shfaqur filma dokumentarë nxënësve të shkollave të mesme të qytetit. Temat e dokumentarëve kanë përfshirë një spektër të gjerë të edukimit qytetar me qëllim përgatitjen e gjeneratave të ardhshme që do të jenë qytetarisht të përgjegjshme dhe aktive. Aktivizmi është edhe një ndër parimet udhëheqëse të veprimit të brendshëm të organizatës. Përmes Grupit të Vullnetarëve Aktiv (grup që funksionon brenda EC Ma Ndryshes) organizata ka promovuar aktivitetin vullnetar në shumë fusha, e posaçërisht në kulturë dhe trashëgimi kulturore.